Fjalor historik i Kosoves - Robert Elsie

fjalor kos shqRobert Elsie - Fjalor historik i Kosovës - Përktheu nga anglishtja Majlinda Nishku
436 pp,
ISBN 978-99943-5170-1
Skanderbeg Books, Tirana 201
Ky botim i dytë i Fjalorit Historik të Kosovës, i rishikuar dhe

zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, i jep lexuesit informacione më të fundit për Kosovën dhe popullin e saj deri në mes të vitit 2010, duke përfshirë kështu periudhën e administrimit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008,dhe më tej.
Kosova është një tokë e lashtë, por që mediumet dhe bota perëndimore në të vërtetë e ‘zbuluan’ vetëm gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990 të shekullit të kaluar, fillimisht thjesht si një re tjetër e zezë që u shfaq në horizont, diku përtej Bosnjës. Që prej atëherë, u vërshuan një varg botimesh brenda një kohe relativisht të shkurtër, pjesa më e madhe e të cilëve fokusoheshin tek lufta e Kosovës e viteve 1998-1999, shtypja e tmerrshme politike dhe gjendja tejet e rëndë e të drejtave të njeriut nën regjimin serb, kriza humanitare dhe ushtarake që u shkaktua si pasojë e tyre, çështja shumë e kontestuar e statusit dhe pavarësisë, si dhe politika ndërkombëtare që lidhej me të. Pavarësisht nga gjithë kjo vëmendje dhe nga prania e institucionalizuar e bashkësisë ndërkombëtare që prej vitit 1999, Kosova ende nuk është fort e njohur si vend.

Fjalori Historik i Kosovës orvatet ta balancojë këtë problem dhe ta paraqesë Kosovën në një kornizë më të gjerë. Ai përqendrohet jo vetëm tek shumë prej çështjeve të mësipërme, që sigurisht, ende ia vlen t’u kushtohet vëmendje, por shpreson gjithashtu t’i japë lexuesit të interesuar informacione për Kosovën si një vend me një kulturë të pasur dhe histori të gjatë, ose më mirë, si një vend me disa kultura dhe, siç mund të thotë dikush me paksa ironi, me disa histori. Kosova është më tepër se sa një krizë problematike sigurie për Perëndimin. Ajo është një vend i ri evropian, me rreth dy milion banorë, një tokë poetësh dhe shkrimtarësh, piktorësh dhe skulptorësh, dijetarësh dhe artistësh. Është një tokë monumentesh kulturore, ndër të cilat xhami osmane me zbukurime të imta dhe kisha e manastire të vjetra ortodokse, tregje orientale, fushëbeteja e peizazhe të mahnitshme. Kosova është gjithashtu një vend me burime të konsiderueshme natyrore dhe një popullsi të re e optimiste, të etur për ta bërë atdheun e vet pjesë përbërëse të Evropës. Ajo është një demokraci e re me potencial të madh, por që, padyshim, ka trashëguar shumë probleme të mëdha nga e shkuara e errët.

Pjesa më e madhe e 475 zërave që përfshihen në botimin e dytë të këtij Fjalori Historik të Kosovës u kushtohen njerëzve dhe personaliteteve. Këta nuk janë vetëm figura historike, por edhe figura të sotme publike dhe udhëheqës politikë, si dhe individë që kanë dhënë kontribute të shquara në arte dhe shkencë.

Pa lënë pas dore pakicat kombëtare të serbëve, boshnjakëve, romëve dhe turqve, ky vëllim niset nga realiteti i Kosovës së sotme të pasluftës, si një vend kryesisht shqipfolës. Në përputhje me këtë, aty ku nuk specifikohet ndryshe, zërat për personat bëjnë fjalë për individë nga grupi i shumicës shqiptare, i cili përbën rreth 92 për qind të popullsisë.

Thuhet shpesh që popujt e Ballkanit kanë marrë përsipër më tepër histori nga ç’mund të mbajnë. Shpresojmë që ky vëllim t’ua lehtësojë disi lexuesve barrën e të kuptuarit të kësaj historie dhe t’i ndihmojë ata ta njohin Kosovën, anëtaren e re të familjes evropiane.

cerca

video

Aleksander Gashi
pianista, compositore
cittadino italiano per meriti artistici

alb@partner